Vizualizimi

Ne njerëzit kemi pajisjen më të sofistikuar dhe më të avancuar në planetin ku jetojmë, trurin tonë. Me mendje ti sëmur dhe me mendje ti shëron, me mendje është shpikur telefoni, kompjuteri, pajisjet mjekësore, avioni dhe gjithçka tjetër që ti përdor. Truri i njeriut ka aftësinë të mbajë mend të shkuarën, të përjetojë të tashmen dhe të projektojë të ardhmen. Tek e shkuara i vetmi çast që lejohet të kthehemi është për të parë sa para kemi ecur në jetë dhe sa jemi përmirësuar. E tashmja është ajo që jetojmë dhe përqendrohemi. Por do të ndaloj pak te projektimi i të ardhmes. Ndryshe nga kafshët e tjera në planet, ne, njerëzit, arrijmë të imagjinojmë ose të krijojmë një situatë në mendjen tonë para se të ekzistojë fizikisht ose realisht. Siç e kam shpjeguar në kapitujt e mësipërm, në shumicën e kohës imagjinojmë negativisht, pra fuqinë e mendjes e drejtojmë te negativja dhe nuk arrijmë të krijojmë. Ne, njerëzit, jemi pajisur me imagjinatën vetëm për të krijuar, ne jemi krijues të veprave të artit, të shpikjeve të reja, të teknologjisë dhe të jetës që ëndërrojmë. Mendimi ka shumë fuqi dhe që ta përdorim këtë fuqi në të mirën tonë, duhet të përdorim vizualizimin ose imagjinatën. Do të imagjinosh me detaje se si ti dëshiron që jeta jote të jetë, me një trup në formë, i lumtur, i shëndetshëm, në marrëdhënie ose i martuar, duke u diplomuar, duke marrë patentën, duke hapur biznesin tënd, duke u bërë prind, etj. Pra do të mbyllësh sytë dhe do ta shikosh veten ashtu si ti do që të jesh, krijoje atë fotografi në mendje dhe mbaje fort aty. Me fuqinë e imagjinatës, ti mundesh të krijosh jetën që dëshiron. Nuk të pengon asgjë ta krijosh, krijoje si një film i shkurtër në mendjen tënde. Pasi të hapësh sytë do ta kuptosh që ka disa pengesa dhe do të të duket e pamundur për ta pasur atë që sapo imagjinove apo vizualizove. Pasi t’i hapësh sytë, ti kupton që ajo që ti sapo imagjinove/vizualizove me atë që po jeton janë shumë larg dhe ti pa filluar ende heq dorë. Por në të vërtetë ekziston një urë lidhëse midis këtyre dy realiteteve që është e ndërtuar me hapa konkretë dhe me veprime konkrete. Shumica e njerëzve nuk e dallojnë këtë urë dhe prandaj heqin dorë. Mendja të mban në vend, thua do ta bëj sot, do ta bëj nesër dhe e shikon që vitet kanë kaluar dhe e gjen veten të penduar që nuk ke vepruar. Çasti është tani, vepro tani. Hidhe hapin e parë tek ura që të çon drejt ëndrrave të tua. Të siguroj që dhe unë kisha frikë, frikë se çfarë do të thoshin të tjerët, frikë se do të më largoheshin të gjithë dhe do të ngelesha vetëm, frikë se mos rrëzohesha. Që të gjitha këto ndodhën, por kjo nuk më bëri të hiqja dorë nga ëndrrat. E ndërtova urën lidhëse me realitetin që unë doja të arrija dhe po ta jap ty gati te ky libër.

Një ndër ëndrrat e mia më të mëdha është që t’i shikoj të gjithë njerëzit të vetëdijshëm, aq sa për ta kuptuar që e meritojnë lumturinë. Sa më shumë njerëz të lumtur, aq më shumë dashuri ka kjo botë. Dhe dashuria është forca më e madhe që vë në lëvizje gjithçka në këtë realitet që ne jetojmë – dashuria për veten, për njerëzit, dashuria për kafshët, për planetin, dashuria dhe pasioni për atë që jemi duke bërë.

Fillo aty ku je dhe ndërto urën e jetës sate. Vizualizo ëndrrat e tua, jetën tënde me detaje, si dëshiron që të jetë dhe menjëherë vepro dhe hidh hapin e parë në urën që lidh realitetin që po jeton me atë që ti imagjinon. Thjesht vepro në rrethanat që je. Mos u justifiko dhe mos u krahaso me askënd. Rrugëtimi i gjithsecilit është ndryshe, është unik.

Në kapitujt pasardhës do të flas pak për mënyrën se si të punojmë me ëndrrat tona.

Ushtrim:

Mbyll sytë dhe shiko një njeri të lumtur, të shëndetshëm e me trupin në formë. Ky njeri jeton pa asnjë frikë, pa ankth, ka një jetë të balancuar me partnerin (dhe fëmijët). Po punon me ëndrrat e tij/të saj, ka hapur biznesin, u regjistrua në fakultet, e mori patentën e makinës, shkoi në palestër, ushqehet shëndetshëm, nuk ndikohet nga fjalët e të tjerëve, sapo u diplomua, sapo u njoh me dikë, sapo kaloi provimet, sapo nënshkroi kontratën e punës jashtë shtetit, kërkon më të mirën nga vetja çdo ditë, ka aplikuar për vendin e punës, çdo ditë mendon pozitivisht edhe pse vuan nga një sëmundje. Komunikon me njerëzit që e rrethojnë me qetësi dhe mirëkuptim, është duke shkruar librin e tij/saj të parë. Atij personi vendosi një fytyrë, vendosi fytyrën tënde. Kjo është mënyra më e shpejtë për të arritur vizualizimin. Nga ana e kërkimeve shkencore, është quajtur fuqia e objektivitetit. Pra, kur ti vizualizon për dikë tjetër dhe në fund i vendos fytyrën tënde. Ne e kemi më kollaj të vizualizojmë për të tjerët, i shikojmë të lumtur, madje ju japim dhe kurajë, ju themi forca, ndërsa për veten tonë e kemi të vështirë të vizualizojmë. Vizualizimi, manifestimi ose imagjinata është në të vërtetë përgatitja që ti i bën mendjes, trupit, shpirtit për të vepruar drejt ëndrrës sate. Me kalimin e kohës, do të mjeshtërohesh me vizualizimin aq shumë , sa gjithçka do ta  krijosh  nē mendje dhe nuk do të ngurrosh më derisa ta arrish.

 Pjesë nga libri  “ TRANSFORMO JETËN TËNDE”…

Nëse duke lexuar këtë artikull  ndjen dëshirën të mësosh më shumë rreth vizualizimit, manifestimit dhe mënyrës si ta kthesh fuqinë e mendimit në sukses, mjafton të lexosh  këtë libër që mund të “TRANSFORMOJË JETËN TËNDE”.

‘Transformo Jetën Tënde’ është libri i parë Best Seller nga një autore shqiptare për menaxhimin e ankthit, frikës dhe mendimeve negative. Ky libër është vlerësuar nga lexuesit si ‘Manual Jete’ që të ndihmon të çlirohesh nga mendimi negativ.

Për të porositur kliko linkun  https://jonacademy.com/product/transformo-jeten-tende/ ose kontakto në WhatsApp në numrin +355683817117. Dikush nga ‘SKUADRA E JONA AKADEMI’ do të të përgjigjet.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *