Dëshiroj që në fillim të këtij shkrimi të flas pak për eksperiencën time si emigrante dhe përpjekjet e mia për të përvetësuar anglishten dhe gjermanishten. Në fillim kam emigruar në Angli në një vend që flitet anglisht me një theks të veçantë, e vetmja përgatitje që unë kisha bërë në lidhje me anglishten ishte një kurs një mujor në Tiranë për gjuhën angleze. Fillimi ishte shumë i vështirë, mbaj mend shpesh here që izolohesha në shtëpi dhe nuk shkoja në institucionet apo vendet e duhura dhe të përballesha me realitetin që më duhej të përballesha. Sa më shumë kalonin ditët, javët dhe muajt në Angli e kuptova që isha e detyruar të dilja aty jashtë dhe të përballesha me turpin, sikletin, shpesh herë me situatat që më duhej të shpjegohesha me këmbë dhe me duar, disa herë të tjera e mbyllja telefonin pa thënë mirupafshim sepse nuk dija si tja shpjegoja situatën time personit që po flisja. Pavarësisht këtyre ndjesive negative nuk kisha një zgjidhje tjetër më duhej të gjeja një punë dhe të mësoja gjuhën.
Pikat më poshtë janë ato çka mua më ndihmuan si të përvetësoja anglishten:
- Të shikojmë filma me titra.
- Të dalim nga zona e rehatisë dhe në çdo ambient që shkojmë do flasim ashtu si e dimë gjuhën.
- Qëndro në kontakt të vazhdueshëm me njerëz që flasin gjuhën angleze fizikisht ose online dhe shkëmbe vazhdimisht mesazhe ose videocall.
- Shkarko Google Translate si aplikacion dhe mos u vendos në siklet ta përdorësh vazhdimisht.
- Kërko online për grupe, komunitete që ofrojnë orë anglishteje falas.
- Filloje një kurs të gjuhës në kolegjin më të lirë që mund të gjesh.
- Shmang daljet e shpeshta me komunitetin shqiptar apo të njerëzve që flasin vetëm shqip.
- Nëse është në dorën tënde zgjidh një punë që do jesh në kontakt të vazhdueshëm më klientin( kamarier, recepsionist).
- Shkarko aplikacione në celular që të mësojnë gramatikën e gjuhës angleze.
- Të dëgjosh muzikë në gjuhën që po mëson.
- Të flasësh me veten para pasqyrës në gjuhën që po mëson.
Këto janë disa këshilla nga ato që unë kam praktikuar atë periudhë dhe ka ende metoda të tjera për të mësuar anglishten. Ajo që ka rëndësi është gjendja jote mendore dhe emocionale, rikujtoja vetes vazhdimisht që ti nuk je një emigrant që nuk ke vlera vetëm për faktin se nuk flet gjuhën e atij vendi. Ti je një person që meriton shumë lumturi dhe je i aftë të integrohesh në kulturën e shtetit ku jeton, jepi vetes kohë respektoje veten dhuroi dashuri vetes. Je duke bërë diçka të re dhe askush më përpara nuk ta ka treguar rrugën. Unë kur fillova mos ta fajësoja dhe të mos e gjykoja veten atëhere e përvetësova shumë mirë gjuhën angleze, kuptoja më shumë se 95% të gjuhës së folur , 90% të asaj që lexoja dhe arrita në një nivel mbi mesatar për të folurën. Përvetësimi i anglishtes ma bëri më të lehtë kur emigrova në Austri në Vjenë sepse në fillimet e mia komunikoja vetëm anglisht. Kur mësova anglishten e mësoja më shumë qejf sepse është gjuhë shumë e bukur por e kundërta ndodhi me gjermanishten e kam urryer që sekondin e parë që e kam dëgjuar atë gjuhë por nuk kisha zgjidhje tjetër vetëm se të ulesha dhe ta përvetësoja. Gjeta një kurs online falas dhe shkarkova disa aplikacione për gjuhën gjermane por ndryshe nga Anglia këtë herë isha e mbyllur në shtëpi me vajzën dhe nuk u integrova. Arrita ta përvetësoj sa për të shkuar për të bërë pazaret, përshëndetjet bazë apo për të bërë disa kërkesa shumë të thjeshta.Me kalimin e kohës u përmirësova shumë në kuptimin e gjuhës gjermane dhe pak nga pak filloj të më pëlqente. Duke qenë vetë emigrante, njerëzit vazhdimisht në instagram dhe në rrjetet sociale më kanë pyetur se si mund të përvetësojnë anglishten ose gjermanishten dhe për këtë arsye ndër bisedat e shumta live kam ftuar dhe persona që ushtrojnë profesionin e mësuesit të këtyre dy gjuhëve. Një përmbledhje të këshillave praktike që këta persona kanë dhënë do i ndaj tek teksti më poshtë.
Si të mësojmë gjermanisht?
Çdo gjuhë e huaj ka vështirësinë dhe veçantinë e saj por në përgjithësi thelbi i të mësuarit është i njëjtë. Kur ti të ndodhesh në një vend të huaj ku gjuha zyrtare është anglisht ose gjermanisht duhet të mundohesh të krijosh një komunitet ku të flitet gjuha vendase dhe jo të vazhdosh të kesh komunikim vetëm me personat që flasin gjuhën tënde amëtare. Është shumë i rëndësishëm momenti kur ti del nga zona e rehatisë, pra sa i/e gatshëm je që të tejkalosh frikën duke përdorur gjuhën që po mëson. Kur ti je mbyllur në shtëpi dhe pretendon ta mësosh nga ekranet dhe librat dakort por në momentin që nuk del nga zona e rehatisë nuk ke si ta nxjerrësh veten aty jashtë e të sforcohesh për më shumë. Frika se flet gabim të step edhe më shumë por duhet të flasësh, të gabosh që të mësosh. Gjeramanishtja është një gjuhë e vështirë me gramatikë komplet tjetër nga gjuhët e tjera gjë që e vështirëson më shumë. Të mësuarit përmendësh apo si rrobot nuk është funksionale. Gjuha gjermane është e përngjashme me një ekuacion matematike sepse vijnë gjërat gradualisht nga niveli i parë deri në fund. Gjithçka nis nëse e ke bindje dhe besim tek vetja që do e arrish diçka apo nuk do e arrish. Nëse nisesh me idenë se duhet ta mësoj këtë gjuhë të huaj sepse nuk kam çfarë bëj tjetër nuk ke për ta mësuar asnjëherë. Nëse vërtetë do ta mësosh një gjuhë të huaj vizualizo në fillim me një film të shkurtër në mendjen tënde ku je ti personazhi kryesor, ke dalë nga zona e rehatisë po flet gjuhën e huaj. Ki besim tek vetja dhe bëje me shpirt. Synimi është shumë i rëndësishëm pra kur futemi të mësojmë një gjuhë të huaj duhet të orientohemi tek aspektet pozitive që do marrim falë saj dhe patjetër që rezultatet do jenë shumë të mira dhe do e mësosh. Gjithçka nis nga besimi, mendimi, nga mënyra se si e sheh jetën. Duhet ta besosh me shpirt që e ke aftësinë, forcën dhe gjithçka kur ti e do me shpirt e arrin me patjetër. Ki besim tek vetja.
Si ti mbajmë mend fjalët e huaja që mësojmë?
Kjo ndodh kur ti e mëson një fjalë dhe nëse nuk e ndesh më sepse fjalët gradualisht harrrohen.
- Duhet të mundohesh ta praktikosh sa më shumë ku për çdo fjalë të re që mëson ta përdorësh në disa fjali që ta fiksosh.
- Të lexuarit, nga aspekti vizual kur ti i shikon më shpesh fjalët e reja.
- Filmat të ndihmojnë si në aspektin e të dëgjuarit dhe të shikuarit kur i lexojmë me titra në gjuhën e huaj.
Si ti fiksojmë kohët e foljeve?
Kohët e foljeve kanë shumë rregulla se ku përdoren por duhet ti mësosh në tërësi dhe ti përdorësh në praktikë nuk ke pse ti mbash mend të gjitha rregullat me përpikmëri. E rëndësishmë është që ta flashësh, të komunikosh, të shprehësh atë që do dhe të gabosh sepse padyshim do mësosh. Nëse ti nuk dështon, nuk gabon sepse “dështimi” në thelb është mosveprim pra kur nuk vepron i dështuar je dhe ashtu ngelesh. Në momentin që vepron do gabosh njëherë, dy herë dhe më pas do bëhesh mjeshtër në atë hap që ke hedhur.
Nëse ke dëshirë dhe vullnet çdo gjë arrihet. Në fillim duhet të bindësh veten që ia del.
Si ti përgjigjemi dikujt kur na pyet: A e flet mirë këtë gjuhë të huaj?
Nuk duhet ti vrasim ëndrrat njerëzve dhe ti frenojmë. Në rastet për shembull kur dikush është në nivelin mesatar kur po mëson një gjuhë të huaj dhe dikush e pyet “ A e flet mirë ti këtë gjuhë?” bën që ai të stepet sepse ne nuk kemi aq shumë besim tek vetja sa ta vendosim veten gjithmonë në nivelin shumë mirë dhe frenohet. Nuk ka rëndësi si ti e flet një gjuhë. Flisni një gjuhë të huaj të re gabim sepse nëse nuk e thua gabim nuk e mëson dot, nëse nuk guxon ke dështuar. Padyshim që sa me shumë gjuhë të huaj të dimë është shumë e favorshme sepse çdo gjuhë e huaj e mësuar është kulturë. Të hap shumë dyer, të jep shumë vetëbesim, qetësi që sikur edhe me pushime të shkosh diku ti di të komunikosh. Por asnjëherë nuk duhet ti masim vlerat tona si individ përmes numrit të gjuhëve që ne flasim.
Nëse ky shkrim të ka ndihmuar të kuptosh më shumë rreth metodave dhe mënyrave se si të mësosh një gjuhë të huaj të lutem bëj like dhe ndaje me miqtë e tu.
Gjithashtu nëse ke nevojë që të diskutojmë një çështje të caktuar mund ta shkruash në koment tek ky shkrim ose të dërgosh një mesazh në instagram.
Me dashuri Jona.
Te falënderoj shum per te gjitha ,dhe per mundimin tend ,faleminderit jona
Faleminderit shpirti I bukur zoti te bekoft