Ndodh shpesh që në rrugëtimin e përmirësimit të vetes, zhvillimit personal, kur ke nisur një aktivitet apo qoftë edhe një rutinë të caktuar në përditshmërinë tënde ndodh që të ngadalësosh, të vijnë situata të tilla që ta ulësh pak ritmin dhe gjërat të mos ecin sipas parashikimeve e planeve dhe kjo është normale. Gjëja e parë që i themi vetes kur na ndodh diçka e tillë është “PSE?” dhe i kërkojmë llogari vetes e gjykojmë veten tonë. Më së shumti kjo ndodh kur ne krahasohemi me të tjerët në rrjetet sociale, kur krahasohemi me personat e tjerë që janë në të njëjtën rrugë që jemi ne ose kur krahasohemi me veten tonë se ku do ishim në këtë kohë nëse planet do kishin ecur ashtu si i kishim planifikuar. Por jeta nuk është e tillë sepse rrjedh në mënyrën më perfekte të mundshme sipas planeve të Universit. Nuk kemi asnjë arsye se pse të mendojmë se ngelemi mbrapa, kur çdo njeri në këtë jetë ka rrugëtimin e tij edhe ne kemi rrugëtimin tonë. Edhe TI ke rrugëtimin tënd nuk do të thotë që ke ngelur mbrapa, nuk do të thotë që dikush ka ecur shumë para teje. Gjatë njërës nga seancat për zhvillim personal një nga vajzat më pyeti: “Burri im ka ecur shumë në biznes dhe mua për gjithçka më duket sikur kam mbetur mbrapa” dhe përgjigjja ime ishte kjo: ”nuk do të thotë që ti ke ngelur mbrapa, kjo ndoshta do të thotë që ti je tërhequr dy hapa mbrapa për të rigjetur forcën dhe kur ti të ecësh, do të ecësh 10 hapa para, ndoshta do e shikosh burrin në krahun tënd dhe do vazhdosh do ecësh pa ndalim”. Çfarë do të thotë kjo? Mos u krahasoni me asnjë njeri, gjithësecili ka rrugëtimin e tij dhe nuk mundemi në asnjë moment të mendojmë se kemi ngelur mbrapa vetëm sepse planet nuk janë ashtu siç ne i kemi menduar. Nuk ka të bëjë shumë se ku jemi, sa kemi ecur, se sa kemi arritur.
- Çfarë do ndodhë nëse do i arrish të gjitha planet?
- Po nëse nuk i arrite të gjitha çfarë do ndodhë?
Në të dyja rastet asgjë nuk ndodh, thjesht ti gënjen veten dhe thua arrita të realizoj disa gjëra dhe harron të jetosh momentin. Duhet patjetër këtu ku jemi, tani në këtë moment të mos e gjykojmë veten tonë. Me kaq mundësi sa ke do punosh me veten, nëse mundësitë të ofrohen në kushte të caktuara do punosh aq sa i ke mundësitë. Konkretisht nëse unë do isha me programimin e vjetër do isha duke gjykuar veten time “ky person ka ecur shumë po unë pse nuk kam ecur” sepse këtë na ka mësuar neve shoqëria të mendojmë gjithë kohës.
Mos e gjyko veten për asnjë moment, absolutisht nuk ke ngelur mbrapa ta siguroj unë që gjithësecili nga ne ka rrugëtimin e tij në jetë. Në ato momentet që ti bie sadopak në qetësi dhe nuk po ecën me të njëjtin ritëm merrja mesazhin situatës, mëso të duash veten tënde të parën, mëso ta kalosh me qetësi nuk është e thënë që gjithmonë të reagojmë ndaj vetes tonë.
Në ato momentet që e kupton se je duke e gjykuar veten,bëja vetes këtë pyetje:
“Nëse këtë lloj gjykimi që po i bëj vetes time do ma bënte një person i jashtëm i panjohur do e kisha duruar atë person, do e lejoja të më ofendonte?” Jam e sigurt që jo, ne nuk lejojmë askënd që të na gjykojë vazhdimisht por pse duhet të lejojmë veten tonë ta bëjë?!
Nëse ti që po e lexon këtë artikull e ndesh veten duke e gjykuar atë, STOP ndalo në moment dhe falenderoje Zotin për këto që ke, mbushu me frymë , beso se do bëhet më e mira për ty.
Gjithsecili nga ne ka rrugëtimin e tij dhe ajo çfarë është e destinuar për ty do e gjejë rrugën dhe do vijë në momentin e përshtatshëm.
Nëse ky shkrim të ka ndihmuar të kuptosh më shumë rreth gjykimit të vetes, të ka bërë të reflektosh dhe pranosh veten bëj like dhe dërgoja dikujt që do e ndihmonte.
Gjithashtu nëse ke nevojë që të diskutojmë një çështje të caktuar mund ta shkruash në koment tek ky shkrim ose të dërgosh një mesazh në instagram.
Me dashuri Jona.