Që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje është shumë e vështirë. Ne gjatë gjithë jetës jemi në kërkim të lumturisë, në kërkim të asaj çka do të na japë ndjesinë e lumturisë, në kërkim të personit i cili do të na bëjë të përjetojmë ndjesinë e lumturisë, në kërkim të një vendi ku do të ndihemi të lumtur. Por çfarë është në të vërtetë lumturia? Në lidhje me jetën time nëse e shikoj në këndvështrimin e asaj çfarë kam përjetuar, fëmijëria ka qenë një periudhë e lumtur dhe me rritjen ka qenë në përpjesëtim të zhdrejtë, jam rritur dhe niveli i lumturisë është ulur. Kur rritemi ne duhet të përmbushim pritshmëritë e të tjerëve dhe vazhdimisht krahasojmë rrugëtimin tonë me rrugëtimin e njerëzve të tjerë, gjë kjo që na bën që të mos e shijojmë momentin, duke na e vjedhur kështu lumturinë. Megjithatë ka momente të caktuara gjatë jetës që ne ndiejmë nivele shumë të larta lumturie. Për mua ishte momenti kur u bëra nënë, kur u njoha me bashkëshortin, kur arrita të menaxhoj një atak paniku vetëm pa ndihmë, kur festoja një festë me njerëzit e mi të dashur, kur botova librin e parë, kur shpëtova dikë nga vetëvrasja, kur ushqeva një kafshë në rrugë. Patjetër që kam ndjerë lumturi edhe në jetën time si e rritur, por kanë qenë momente të caktuara, sepse kur ne jemi të rritur kontrollin e ka mendja, ndërsa në fëmijëri kontrollin e ka zemra.
Perceptimi i lumturisë ndryshon sipas stadeve të jetës. Nëse do më pyesnin fëmijë se çfarë ishte lumturia, do të isha përgjigjur që ishte liria për të luajtur në natyrë sa më shumë, për të shijuar diellin, për të qëndruar me kafshët, për të ecur zbathur. Nëse do të më pyesnin se si jam ndjerë kur u bëra nënë, do të përgjigjesha se u përfshiva nga ndjesia që ta vështroja sa më gjatë atë krijesën e vogël perfekte që kishte dalë nga unë dhe që ishte vajza ime. Dhe nëse do të më pyesnin se kur përjetova rizgjimin shpirtëror çfarë është lumturia, do të thoja se është të ndihesh e plotësuar me ato çfarë ke pikërisht në këtë moment.
Është shumë e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes se çfarë është lumturia, por unë mendoj që lumturia ka disa aspekte. Është aspekti: i mirënjohjes, i realitetit fizik, i gjendjes mendore dhe aspekti njerëzor. Aspekti i mirënjohjes, kur ti ndihesh mirënjohës për gjërat që ke, për njerëzit që ke në jetën tënde, kur ti ndjen mirënjohje, jo thjesht në mendje por kur e ndjen me zemër. Është aspekti i realitetit fizik që duhet të plotësosh disa kushte elementare që të jesh i lumtur. Jam dakord që duhet të ndiejmë mirënjohje për kushtet që kemi, por rrallë ndodh që njerëzit që nuk kanë shtëpi, që nuk kanë mundësinë të ushqehen, të ndodhë që të jenë vërtet të lumtur. Ne duhet të sigurohemi që t’u ofrojmë disa kushte minimale jetese vetes tonë dhe njerëzve që varen drejtëpërdrejtë nga ne, në mënyrë që të jemi të lumtur. Një shtëpi, të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetën dhe sidomos të drejtën themelore që çdo krijese njerëzore duhet ta gëzojë që nga lindja që është Dielli, të jemi mjaftueshëm të ekspozuar në diell, të jemi pranë natyrës. Aspekti tjetër është aspekti njerëzor, njerëzit që na rrethojnë, rrethi i ngushtë, kur ti rrethohesh me njerëz të lumtur, detyrimisht që do të ndihesh i lumtur, sepse lumturia është një frekuencë e caktuar, është energji dhe përçohet te ti nëpërmjet buzëqeshjes, nëpërmjet një përqafimi, nëpërmjet një shikimi, nëpërmjet fjalës apo edhe thjesht nëpërmjet heshtjes, por një heshtjeje të lumtur. Aspekti tjetër është një gjendje e mendjes. Gjatë gjithë jetës time kam menduar se lumturinë do ta gjeja në një vend të caktuar apo te një njeri i caktuar, apo në një shtet të caktuar, por kur kam përjetuar në jetë shumë momente triumfi dhe suksesi, kam kuptuar shpesh herë që nuk ndihesha e lumtur. Sepse lumturia është një gjendje e mendjes, duhet të mjaftohesh me ato që ke, ti vlerësosh ato që ke dhe duhet të jesh i aftë ta bindësh veten në ato momente që ti mundesh të jetosh i lumtur me ato çfarë Zoti dhe Universi të ka dhënë për momentin. Mos më keqkupto, sepse nuk them ta gënjesh veten, pra të jesh duke vuajtur dhe të thuash që unë jam mirë, të jesh në një marrëdhënie abuzive dhe të thuash jam e lumtur apo të jesh në një vend pune ku shfrytëzohesh dhe të shtiresh si i lumtur. Jo, mos më keqkupto; ajo që dua të them është që të jesh pikërisht në kushtet që je, të ndjesh mirënjohje për gjërat që ke dhe t’i premtosh vetes që do të bësh maksimumin për të përmirësuar jetën tënde.
Nëse i përmbledhim të gjitha këto aspekte të lumturisë, kuptojmë që kur të gjitha sa përmendëm mblidhen nga pak, të japin një ndjesi të mirë, të japin një ndjesi përmbushje, të japin një ndjesi mirënjohje dhe frekuenca ,energjia e trupit tënd fizik do të rritet. Kur frekuenca e trupit fizik rritet, mendimet që qarkullojnë në mendjen tënde, idetë që vijnë në mendjen tënde dhe ndjesitë që përjetohen në zemrën tënde, janë shumë pozitive, të bukura dhe përjetohen më këndshëm nga trupi dhe në këto momente ti kupton që po përjeton disa çaste lumturie.
E kam kërkuar lumturinë rrugëve të Europës nga njëri shtet në tjetrin, e kam kërkuar lumturinë te Zoti duke u lutur, e kam kërkuar lumturinë te sytë e vajzës kur lindi, e kam kërkuar lumturinë te përqafimi i bashkëshortit, e kam kërkuar lumturinë te përqafimi i njerëzve të mi që me të vërtetë i dua shumë. Lumturinë e vërtetë, atë lumturi ku nuk ekziston hezitimi, atë lumturi ku nuk ekziston frika, atë lumturi ku nuk ka më boshllëk, ku ti bëhesh një me Universin, e kam gjetur kur bëra paqe me veten, e kam gjetur thellë në brendësi të qënies sime. Mos më keqkupto, patjetër që vajza ime është njeriu më i rëndësishëm në jetë për mua, patjetër që kam ndjerë lumturi me çdo përqafim që kam shkëmbyer me njerëzit e mi të dashur, por lumturinë e plotë përmbushëse nuk e kam gjetur te asnjë nga këta persona. Lumturinë e vërtetë e kam gjetur thellë në një vend që kisha harruar të shkoja, e kam gjetur në zemrën time aty fshihet lumturia e vërtetë, aty është burimi i krijimit, në zemër është energjia krijuese, në zemër kemi grimca nga energjia e Universit, thellë në zemër kemi një pjesë të energjisë së Zotit prandaj aty fshihet lumturia.
Kur ti nuk je i lumtur me veten tënde, kur ti e ke bllokuar zemrën, kur ti nuk e do veten dhe kur bisedat që bën me veten në mendjen tënde janë negative, atëhere ti nuk di se si ti bësh të tjerët të lumtur.
Lumturia përjetohet kur ti fillon ta pranosh veten për atë që je. Kur kthej kokën mbrapa dhe shikoj se sa shumë e kam lodhur, akuzuar dhe torturuar veten me gjykime e kuptoj që gjithçka ishte e tepërt. Pasi të gjitha sfidat ndodhën në mënyrë që unë të rritesha si njeri, të aktivizoja potencialin tim në mënyrë që të kisha një jetë të lumtur në të ardhmen. Kur je duke vuajtur në disa momente dhe kur je duke e pyetur veten: Pse po e bëj këtë? Pse po vuaj kaq shumë? Pse po i torturoj fëmijët rrugëve? Kujtohu që gjithçka po ndodh në mënyrë që pas pak kohësh të jeni shumë të lumtur. Lumturia përjetohet edhe në momentet kur po kalon sfida dhe vështirësi dhe ti vendos të dalësh përpara pasqyrës, e duke e parë veten në sy thua:“Unë jam i lumtur sepse kam aftësinë t’i përballoj sfidat.” Lumturia është besimi te vetja, besimi te Zoti. Lumturia është të kthehesh në shtëpinë tënde, në zemrën tënde. Lumturia është të ndjesh mirënjohje për ato thërrimet, për gjërat e vogla që ke në jetë. Lumturia është kur zgjohesh në mëngjes me një qëllim të qartë, me një objektiv apo ëndërr që dëshiron ta realizosh. Lumturia është kur në zemrën tënde vazhdimisht e përherë qëndron gjallë shpresa dhe është i ndezur ai zjarri për të ecur para, për të bërë ndryshime, për të përjetuar ndjesi të reja, për të parë vende të reja. Lumturia është kur ti përqafon dhe shikon thellë në sy fëmijën tënd dhe thua jam e bekuar. Lumturia është kur ti dashuron dhe të dashurojnë pa kushte. Lumtura është kur ke mundësi t’u shpërblesh prindërve të tu mundimin që kanë bërë për të të rritur, me një udhëtim, me një dhuratë, me një përqafim, apo me një fjalë të ngrohtë. Lumturia është kur ajo kafsha në rrugë që është e pastrehë dhe dëshiron vetëm një copë bukë që të jetojë pak më shumë, të sheh me sytë e përlotur dhe luan bishtin dhe të shpreh mirënjohje për atë copën e bukës që i ke dhënë. Lumturi është kur ti ke mbjellë farat e një fruti, një luleje apo një bime dhe dalëngadalë shikon ato filizat e rinj që po dalin nga dheu. Lumturia është kur shkëmben një buzëqeshje me një të panjohur që i qeshin sytë. Lumturia është kur lind dielli në mëngjes dhe papritur ti e kap veten duke qeshur. Lumturia është kur drita e hënës të pasqyron thellë edhe në skutat më të errëta të shpirtit dhe pastron çdo brengë që ti ke aty. Lumturia është kur ti ke falur ata që të kanë lënduar. Lumturia është ndjenja më e bukur e cila lind nga frekuenca më e lartë e Universit nga dashuria. Lumturia lind nga dashuria dhe pranimi që ne kemi për veten, nga dashuria dhe pranimi që ne kemi për njerëzit e tjerë, nga dashuria që kemi për kafshët, për natyrën, për planetin. Lumturia është pranimi i vetes, pranimi i Universit, i jetës. Lumturia është dashuri dhe është dashuri pa kushte. Lumturia është kur edhe nëse të duhet të mbyllësh sytë në këtë çast dhe të largohesh nga kjo jetë, t’i thuash vetes: “Unë jetova plotësisht.” Lumturia është kur ti je në situata dhe rrethana jo shumë të përshtatshme, jo të bukura dhe që nuk të japin ndjesi të këndshme, por vizioni që ti ke në mendje për të ardhmen është diçka shumë e madhe, që të jep kënaqësi dhe ti e pret me optimizëm. Lumturia është kur ndjen mirënjohje të thellë në shpirt për ato që ke në momentin e tanishëm duke harruar ato që të mungojnë.
Pjesë nga libri “NË KËRKIM TË LUMTURISË“…
Nëse tani që po lexon këtë artikull e ke humbur plotësisht besimin tek vetja dhe nuk të bën më asgjë të lumtur hidh vetëm një hap dhe lexo këtë libër që është vlerësuar nga lexuesit si ‘MANUALI I LUMTURISË’.
Përmes këtij libri do arrish të pranosh plotësisht veten ashtu siç je, do rrisësh vetëbesimin dhe do mësosh si ‘të luftosh’për të marrë atë që meriton në jetë për t’u ndjerë i lumtur plotësisht.
Për të porositur kliko linkun https://jonacademy.com/product/ne-kerkim-te-lumturise/ ose kontakto në WhatsApp në numrin +355683817117. Dikush nga ‘SKUADRA E JONA AKADEMI’ do të të përgjigjet.