Si të fitojmë pavarsinë ekonomike online?

Çdo gjë në jetë varet nga dëshira dhe ëndrra. Kur kemi një ëndërr kemi “mjetet” e duhura për të vepruar dhe arritur një gjendje ekonomike me qëllimin për të jetuar një jetë të lirë në të gjitha aspektet. Shpesh ne kemi bindjen se duhet të kesh para që të fitosh para por nuk është e vërtetë, në fund të këtij shkrimi do e kuptosh arsyen pse. Jemi rritur me konceptin  se leku është i keq, të prish, ai që ka lek nuk ka lumturi. Paraja na ka bërë të ndihemi jo mirë në praninë e saj dhe ka shumë njerëz sot e kësaj dite që kur kanë para nuk ndihen mirë. Paraja është një frekuencë e caktuar në të gjithë këtë oqeanin e frekuencave që nëse e çon veten në atë nivel energjie dhe frekuence rrjedh natyrshëm tek ne, por ta çosh veten në atë nivel energjie dhe frekuence duhet të jesh rehat në praninë e parasë. Paraja duhet të ndjekë rrugën që e merr dhe e jep. Momentet që unë kam pasur më shumë para në jetën time kanë qenë ato ku edhe jepja nuk kurseja për veten ose të tjerët. Nuk them vetëm të japësh por të dish të pranosh që është si ajo “shtëpia” që të ketë dy dyer derën para dhe derën mbrapa, ajo që vjen duhet edhe të iki sepse thelbi është që gjithçka të qarkulloj.

Po ndaj një pjesë të rrugëtimit se si arrita të fitoj pavarësinë ekonomike pa një buxhet fillestar: Kisha shumë dëshirë që të kisha  pavarësi ekonomike në mënyrë që mos të punoja për askënd. Kuptova që unë kam vlera si njeri dhe kur dikush më udhëzonte të bëja diçka shefi apo menaxheri rezultonte që kapaciteti im ishte shumë më i madh se “detyra e ngarkuar” dhe thoja gjithmonë pse ta lejoj veten që të kem dikë mbi kokë. Reflektoja me veten “Unë jap vlera, kohën time, aftësitë e mia dhe mbrapa po marr para por po jap më shumë se sa po marr”. Ndodhi që u zgjova dhe vendosa që do punoj vetëm për veten time dhe kurrë për asnjënjeri tjetër.

Filloj gjithçka si një ëndërr, kisha shumë dëshirë dhe mendova se çfarëdolloj çmimi të ketë unë do ta paguaj. Çmimi ishte shumë net pa gjumë, të dilja nga zona e rehatisë, të bisedoja me njerëz që e shikoja veten inferiore përballë tyre dhe punova shumë që ta pranoja se ata janë njerëz të thjeshtë dhe në disa aspekte unë kisha më shumë vlera. Çmimi ishte të të bëja trajnime në gjuhë të huaj me orë të tëra, të  lija argëtimin sepse ishin ëndrrat e do punoja për to. Çmimi ishte të balancoja rolin tim si nënë dhe si bashkëshorte dhe rritjen time personale e profesionale.

Nuk po  them që është gjendja ideale por kjo ndodh në fillim të punës sepse është etja për ta zhvilluar veten dhe biznesin tënd. Që të kesh para duhet të dish çfarë të japësh në shkëmbim që paraja të vij tek ty. Duhet të japësh vlera, informacion, sinqeritet, dashuri personit që e merr shërbimin tënd. Ti mund të jesh autor dhe personi që prek librin tënd të mbushet me dashuri, mund të jesh kuzhinier dhe personi që konsumon pjatën e zbukuruar ta ndjejë energjinë kur ta konsumojë. Çfarëdolloj profesioni që ti ke, çfarëdolloj vlere që ti jep sigurohu ta bësh me pasion dhe energji të mirë që të transmetohet tek personi që e merr sepse atëherë do vijë paraja tek ty. Siç e kuptove paraja është shpërblim për punën tënde, për informacionet, për formimin tënd profesional por mbi të gjitha për vlerat që ti i ke shtuar në jetën e personit që merr produktin apo shërbimin tënd.

Mënyrat se si ta fitojmë pavarësinë ekonomike në epokën e internetit janë pa limite. Së pari gjeje çfarë ke pasion dhe pyete veten nëse këtë gjë do e bëje gjate gjithë jetës pa u lodhur mundësisht edhe falas. Së dyti gjej mënyra online si të nxjerrësh fitime nga kjo ëndërr pra ta bësh fitimprurëse. Së treti bëj sa më shumë trajnime dhe kualifikime në këtë aspekt dhe në këtë fushë në mënyrë që të jesh një profesionist i kompletuar.

Unë e nisa me një faqe në Instagram dhe një kanal në You Tube duke dhënë këshilla falas. Trajnoja veten i ndaja trajnimet e mia me të tjerët. Informoja veten dhe i ndaja çdo gjë me të tjerët, lexoja libra dhe i ndaja me të tjerët dhe papritur faqja ime e instagramit u bë një pikë reference për njerëzit që dëshironin të dilnin nga gjendja jo e mirë edhe të kërkonin lumturi në jetë. Kjo gjë më motivoi akoma më shumë të vazhdoja dhe ta zhvilloja veten time. Gjatë rrugës ti do marrësh kërkesa nga njeëz që kanë nevojë dhe dëshirë për kohën dhe shërbimet e tua dhe kvrkojnë më të mirën për veten e tyre, këta njerëz janë të gatshëm të paguajë  kohën dhe shërbimin e tjetrit dhe ky moment vjen shumë shpejt kur ti jep vlera të pastra. Në ditët e sotme konkurenca është shumë e lartë por kur ti punon me pasion dhe cilësi konkurenca nuk ekziston fare. Unë kam një parim që nuk e ndiej si konkurent dikë që nuk ofron vlera, dikë që  nuk vepron me sinqeritet apo dikë që ndryshe mendon, ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ndaj unë kam vendosur që të jem e vërtetë 100% sepse fundja njerëzit  për të vërtetën kane etje dhe kur ti je e vërtetë do vijnë njerëzit e duhur tek ty dhe do jetojnë një jetë reale jo fallco. Pra kur ti je i sinqertë dhe i vërtetë në atë që bën konkurenca nuk ekziston. Do sigurohesh që kohën tënde ta vlersosh para se ta vlerësojnë të tjerët dhe ti japësh vlerë kohës tënde. Koha jote nuk paguhet me minuta por sa vlera po i jep ti personit, sa po ia ndryshon jetën, sa energji të mirë po i shton në gjendjen mendore dhe fizike dhe emocionale. Do e vlerësosh ti veten para se të vlerësojnë të tjerët! Gjithashtu tregohu mendjehapur mendjehapur dhe kërko vlersime nga klientët e tu sepse kjo është një mënyrë përmirësimi.Gjithashtu pavarësia ekonomike fitohet duke dalë nga zona e rehatisë, duke e zhvilluar veten, duke lexuar libra, duke bërë trajnime. Madje duke dhënë falas në fillim sepse njerëzit duhet të njihen me energjinë tënde, kur të jenë gati vendosin dhe i blejnë vlerat e tua sepse sot njerëzit nuk blejnë produktet dhe shërbimet por blejnë vlerat, ndjesitë që marrin nga ai produkt.

Vazhdimisht në faqen time të Instagramit dhe kanalit tim tim të Tou Tube kam promovuar njerëzit që kanë guxuar në jetë dhe kanë ndërtuar bizneset e tyre. Dy nga ato histori po i ndaj më poshtë me ty.

1- E mbajti të fshehtë derisa ndërtoi biznesin e saj online

Duke mos qenë e angazhuar me një punë dhe gjithmonë mendoja se duhet të kisha diçka timen pa ndihmën e dikujt isha në pritje të ideve që do të më bindnin që të veproja. I kisha thënë stop shpresës sepse shpresa të mban gjallë por edhe të “vdes” për disa gjëra. Vendosa që do filloj diçka që të jetë një biznes ku baza të ishte ta bëja vetë sepse do e bëja më të mirë pa pritur dhe shpresuar për ndihmën e dikujt tjetër. Hulumtova çfarë mund të bëja unë, fillova të provoja veten dhe 2-3 herë dështova.  Mendoja sa e vështirë qenka ti bësh gjërat vetë e se vetëm mua nuk më ecte dhe shpesh herë ndihesha e demotivuar.

Gjithmonë e kisha parim “GJËRAT E MIA TË MOS I TREGOJA”.

Kur nisa biznesin tim pjesa që nuk e dinte askush më rrinte si mburojë dhe nuk e ndieja presionin nëse nuk do ecte. Në dështimet e mia të para nuk i kisha treguar as të afërmëve të mi dhe ndihesha e qetë. Testoja aftësitë e mia dhe isha e qetë nga opinioni i të tjerëve.  Është shumë qetësi kur nuk përfshihen njerëzit jashtë sepse je e qetë. Kur përfshihen njerëzit gjithmonë kanë tendencë të flasin dhe ti e ndien presionin e tyre edhe në rastet që sta thonë me fjalë ti e ndjen energjinë e tyre.

Pasi e provova dy herë dhe dështova arrita të zbuloja aftësinë që kisha në qëndisma ndonëse sërish kisha dyshime nëse do ia dilja. Isha skeptike ndaj biznesit handmade sepse asnjëherë vetë nuk kisha blerë produkte të tilla dhe thoja kush do i blejë ato. Por arrita në një pikë dhe e provova. Duke provuar, duke eksperimentuar arrita të vërtetoja dhe shprehjen “ të mëson puna vetë”. Isha gjithmonë në kërkim të risive, mungesave në treg, çfarë mund të sillja diçka të re që nuk ishte ndeshur më parë dhe rrjedhimisht punimet e mia përmirësoheshin. Sërisht vazhdoja dhe askujt nuk i tregoja për biznesin tim pra për faqen që po investoja dhe punoja kaq shumë.  Në faqen time nuk kisha asnjë të njohur dhe të gjithë ndjekësit ishin të panjohur edhe për mua. Testoja me impaktin që kishin produktet e mia tek një i panjohur sepse mendimi i tij është shumë objektiv. Faqja eci me hapa të ngadaltë duke u kanalizuar aty ku unë e dëshiroja dhe më pas e tregova tek të gjithë. Dëgjoja zërin që kisha brenda dhe guxova shumë herë edhe pse nuk eci. Një favor i madh ishte se e dija vetëm unë. Fakti që e dija vetëm unë nuk i dëgjoja zërat e të tjerëve sepse nuk kishte zëra. Në jetë ajo që shpesh na ndalon është fakti që ju japim kaq shumë rëndësi zërave jashtë. Nuk është detyra jonë të mendojmë se kush do e blejë produktin tonë. Por guxo dhe nxirre në treg sepse ka shumë njerëz që ndoshta me produktin tënd gjejnë pikërisht atë që iu shërben më shumë. Në momentin që ne përfshijmë shifra pra ndjekës, pëlqime, blerje të produkteve ne rrisim më shumë pasiguritë tona dhe ndiejmë krahasimin.  Në një faqe online pra në një profil instagrami nuk ka rëndësi numri i ndjekësve por të duhen blerës. Funksion njëlloj si në një dyqan fizik që të duhen në dyqan njerëz potencial blerës dhe jo potencial thjeshtë për të të vizituar. Gjërat që kanë më shumë rëndësi ndonjëherë janë ndjesitë pra si ndihesh kur merr diçka unike në dorën tënde dhe përjeton gjithë energjinë e personit që e ka punuar.

Testoje sa më shumë veten, pra testoje veten lidhur me veten tënde dhe jo ta testosh veten kundra të tjerëve.  Provo sfida pa u deklaruar, pa treguar çfarë po bën derisa ta gjesh atë që të bën të ndihesh mirë.

2. Tejkaloi paragjykimet e njerëzve dhe  ndërtoi  brandin e saj.

Sa e vështirë ka qenë në realitetin shqiptar që një nënë të promovojë “ jetën e saj”?

Në fillimet e mia ka qenë shumë e vështirë duke qenë se jetoj në një qytet të vogël dhe gjërat paragjykohen, mentaliteti është shumë i mbyllur. Pavarësisht se ti mundohesh “të ruash” veten nga një vend i vogël ndodh që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin edhe mundohen të të ulin me fraza: U bë kjo, ku e gjen guximin, po pra ka filluar moda e re, nuk ëshë mirë e shkreta. Energjia kolektive që mbizotëron të tërheq dhe të bën të ndihesh e paragjykuar. Njerëzit e afërm u larguan dhe personat që më mbështesin më shumë janë të panjohurit. Është pjesë e jetës që e reja të tremb dhe njerëzit tanë të dashur tremben nga personi që ne po krijojmë çdo ditë dhe thonë “unë nuk e njoh më”. Prandaj njerëzit largohen sepse ti kur ndjek ëndrrat e tua e rrit veten në një nivel energjie shumë të lartë sepse rrethohesh me mirënjohëje për gjërat që ke, rrethohesh me dashuri, i do shumë njerëzit sepse ke vuajtur edhe vetë në këtë rrugëtim.

Si guxove dhe hodhe hapin e parë pa u ndikuar nga opinioni i të tjerëve?

Hapat e parë konkret që më ndihmuan të krijoja brandin që kam sot ishin:

  • Ndiqja persona të të njëjtit profil në Instagram dhe You Tube.
  • Mbajtja e ëndrrës sekret derisa mori rrugën e duhur.
  • Mbështetja e partnerit.
  • Nuk më interesonte opinioni i të tjerëve për atë që unë po bëja.
  • Hapja e faqes online në Instagram.

Ka të bëjë vetëm me vetëbesimin dhe pranimin e faktit që gjithçka e kemi me veten dhe nuk duhet të lejojmë që mendimi i askujt të na depërtojë. Dita e sotme do kalojë dhe do vijë dita e nesërme si ta vras mendjen unë si mos e vras njëlloj koha ime do kalojë dhe një ditë do vdes. Bëj atë që ti e di se të bën të ndihesh mirë pa prekur të tjerët, pa i cënuar. Bëj çfarë të duash ti pa prekur njeri dhe jeto shumë e lumtur. Bëj çfarë ti dëshiron, mjafton ta kesh pasion pasi askush nuk ka fuqi të të ndryshojë ty dhe pasionet e tua nëse i bën me shpirt. Në momentin që dikush të thotë ti nuk mundesh, çohu fuqishëm dhe ballafaqoja se ti je shumë e fortë dhe padyshim që mundesh. Në rastet e tilla kjo gjë nuk duhet marrë negativisht por duhet të të shtyjë më shumë.

Mos hiq kurrë dorë nga ëndrra që ke, sepse çdo gjë në këtë jetë e ka një zgjidhje.

Për më shumë këshilla, postime dhe video për zhvillimin personal, për pavarësinë ekonomike, gjendjen emocionale dhe mendore më gjeni në Instagram dhe në YouTube si Fatjona Cici.

Nëse ky shkrim është i vlefshëm për ty atëhere të lutem bëj like dhe ndaje me miqtë e tu.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *